Hemorragjia cerebrale është një ndër sëmundjet më të rrezikshme dhe njëkohësisht një ndër sëmundjet më pak të përfolura. Hemorragjia cerebrale është derdhja e gjakut në tru.
Njerëzit që pësojnë hemorragji në tru, një pjesë vdesin, një pjesë mbesin të paralizuar dhe një pjesë tjetër mund të rikuperohen pas një periudhe të gjatë. Për këtë sëmundje flet mjeku neurolog (D.SH.M), Sokrat Xhaxho. Ai ka përmendur shkaqet e hemoragjisë cerebrale, shenjat që paraqet një person që pëson hemorragji cerebrale, moshat më të prekura etj.
I pyetur për mënyrën e trajtimit të këtyre sëmundjeve, ai bën fillimisht një ndarje. Sipas tij, kur është hemorragji e thellë në tru, i sëmuri mbahet në ndjekje. Në këtë rast është vërtetuar se ndërhyrjet kirurgjikale nuk janë pozitive. Ndërsa kur është hemorragji sipërfaqësore apo hemorragji atipike, ndërhyhet nga ana kirurgjikale. Nëse ka formë parandalimi, mjeku thotë se kontrolli i tensionit, bërja e herëpashershme e analizave, aktivitetit fizik, si dhe konsultimi me mjekun do të ishin një mbrojtje e mirë.
Doktor, çfarë është hemorragjia cerebrale?
Hemorragjia cerebrale është derdhja e gjakut në tru. Çarja e një ene gjaku dhe nxjerrja e gjakut në hapësirën jashtë enëve të gjakut në tru.
Cilat janë shkaqet?
Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Në shumicën dërrmuese të rasteve, është tensioni i lartë i gjakut: kur tensioni është i pamjekuar dhe është për një kohë të gjatë i lartë. Një nga manifestimet e tensionit të lartë është hemorragjia cerebrale. Ky është shkaku i parë dhe më kryesor. Shkaqe të tjera janë përdorimi pa kriter i ilaçeve që hollojnë gjakun. Ilaçet që përdoren gjatë, si: varfarina që përdorin kardiologët në çrregullimet e ritmit të zemrës dhe në çrregullimet e tjera që të mos formohen tromboza dhe zemra të mos bëhet shkak për ndonjë trompozë.
Kur këto ilaçe përdoren pa kriter dhe nuk kontrollohet hollimi i gjakut, atëherë gjaku hollohet më tepër sesa duhet. Kemi gjithashtu disa keqformime në strukturën e enëve të gjakut. Goditjet e ndryshme në kokë, aksidentet e ndryshme ku goditet koka. Bllokohet ena e gjakut dhe bëhet shkak për hemorragji. Tumoret e ndryshme që janë në tru, janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm, si metastazat në tru. Tjetër shkak janë trombozat venoze. Kemi një gjendje të tillë kur gjaku mpikset në ndonjë venë në thellësi të trurit.
Cilat janë shenjat?
Duhet pasur kujdes kur je në gjendje shumë të mirë dhe në mënyrë të menjëhershme të vjen një dhimbje shume e fortë e kokës, sikur dikush të ka goditur fort pas kokës ose sikur ka shpërthyer diçka brenda kokës. Kur ne i pyesim të sëmurët se sa dhimbje të forta ndiejnë nga 1-10, ata thonë 10, pra 10 është intensiteti i dhimbjeve që kanë. Kjo shoqërohet me humbje të vetëdijes, me të përziera dhe me të vjella. Nga vendi ku ka ndodhur kjo, mund të kemi një paralizë të dorës, mund të kemi çrregullime të pamjes, prishje të ekuilibrit.
Cilat janë moshat më të prekura?
Janë moshat e vjetra. Tek të rinjtë shkak janë keqformacionet e ndryshme venoze ose ndonjë trompozë venoze. Këto raste nuk janë të rralla. Hemorragjitë ndodhin më shpesh tek personat që kanë tension të lartë. Më të shpeshta janë tek të moshuarit. Është tensioni i lartë i gjakut, hipertensioni, i pamjekuar mirë që shkakton hemorragjitë në tru edhe tek moshat e reja. Por ndër moshat e vjetra më të prekur janë moshat mbi 60 vjeç.
A mund të përmendet alkooli si faktor?
Alkooli mund të përmendet si faktor rreziku, por alkooli ka një mekanizëm të tillë që jep dëmtime të mëlçisë. Mëlçia është ajo që ka faktorët e koagulimit të gjakut që i prodhon në masën që duhet. Ka një difiçit në faktorët e prodhimit të gjakut dhe duke pasur difiçit, përfshirë këtu edhe një tension apo diçka tjetër, shkaktonhemorragji.
Po duhani ndikon?
Duhani jo. Duhani është më tepër shkak për infarktet në tru, infarktet në zemër sesa për problemet e hemorragjisë.
Sa ndikojnë kushtet klimaterike?
Në stinën e ftohtë dhe sidomos në periudhën pas Vitit të Ri, nga janarishkurti, hemorragjitë cerebrale janë më të shpeshta.
Kur bëhet ndërhyrje kirurgjikale?
Fillimisht gjejmë shkakun e kësaj hemorragjie. Kur është hemoragji që është thellë në tru, mendojmë që është nga tensioni ndaj e mbajmë të sëmurin në ndjekje. Kur është hemorragji sipërfaqësore apo hemorragji atipike mundohemi të gjejmë shkakun nëpërmjet një rezonance magnetike, një skaner të kokës, bëjmë edhe një arteriografi për të parë enët e gjakut. Kur ndodh në sipërfaqe ndërhyhet nga ana kirurgjikale. Ndërsa kur është në thellësi, është vërtetuar se ndërhyrja kirurgjikale më tepër bën dëm. Kontrollohet mirë tensioni, ventilohet mirë i sëmuri, domethënë ushqehet mirë, kontrollohet me skaner dhe me aparaturat e tjera.
Po kequshqyerja a është faktor rreziku?
Dietat e kripura janë të rrezikshme, abuzimi me kripën. Një dietë shumë e ngarkuar në darkë gjithashtu është goxha problematike.
A ngelen me pasoja personat që pësojnë hemorragji në tru?
Po, kanë shumë gjasa. Mund t’u paralizohet njëra këmbë, njëra dorë. Normalisht një pjesë shumë e madhe vdesin. Hemorragjitë janë më të forta në marrjen e jetës, më rebele. Nëse shpëton, gjaku që ka ose do të thithet nëpërmjet kirurgjisë ose nëpërmjet formave të tjera.
A ka mënyrë për ta parandaluar?
Nëpërmjet kontrollit të tensionit. Bërja herë pas here e analizave. Kontrollohen faktorët e koagulimit të gjakut. Në rastet e dhimbjeve të forta të kokës duhet vajtur tek doktori neurolog për të parë nëse është një dhimbje koke pa probleme të mëdha apo është shqetësuese. Kontrolli i vazhdueshëm te mjeku, mosabuzimi me kripën.
A janë faktorë rreziku rrezet e diellit për personat e sëmurë?
Jo, nuk kanë ndonjë ndikim të madh. Të sëmurët duhet të ruhen nga vapa e madhe, nga dehidratimi që mund të shkaktojë probleme në qarkullimin e gjakut. Por për hemoragjinë janë më pak të vlefshme.
Këshillat
Njerëzit duhet të bëjnë një dietë të rregullt ku mund të ketë minimumin e kripës. Sidomos ata që kanë tension të lartë. Duhet të kontrollohet shumë shpesh tensioni i gjakut. Marrja me aktivitet fizik, pa u stërmunduar. Ecjet në ajër të pastër. Jo kur është vapë e madhe apo kohë e keqe, përgjithësisht paradite apo pasdite.