Orizi është më i miri për lëkurë të ndjeshme, të tharës i përshtatet pilingu nga sheqeri sepse mban lagështinë, kafeja e redukton celulitin, ndërsa qulli i tërshërës ndihmon lëkurën problematike me akne.
Te zgjedhja e pilingut duhet pasur kujdes që tekstura e tij t’i përshtatet llojit të caktuar të lëkurës. Grimcat tepër të mëdha mund të shkaktojnë skuqje dhe ta ngacmojnë lëkurën, ndërsa ato tepër të vogla nuk mund të pastrojnë si duhet. Lëkura e yndyrshme dhe e përzier kanë nevojë për trajtime më të shpeshtë, së paku tri herë në javë, derisa lëkurës së tharë dhe me akne i mjafton vetëm një. Ai mënjanon qelizat e vdekura të lëkurës, të cilat mund t’i bllokojnë poret dhe të shkaktojnë puçrra dhe njolla, transmeton gazeta Kosova Sot Online.
Orizi
Për lëkurë të ndjeshme zgjidhja më e mirë është pilingu në bazë të krundeve të orizit, të cilat mund t’i zëvendësojnë kokrrat e bluara të orizit ose miellin e orizit. Ato e pastrojnë lëkurën, zbusin inflamacionin kronik dhe janë të pasura me acid fitinik që nxit prodhimin e kolagjenit, e me vetë këtë edhe elasticitetin e lëkurës
Pilingu nga orizi
Përbërësit: Tri lugë me oriz, ujë
Përgatitja: Orizin e imtësoni derisa të bëhet pluhur. Më pas në të i shtoni disa pika ujë deri në momentin kur pluhuri të shndërrohet në pastë. Me të e fërkoni lëkurën dhe në fund fytyrën e shpëlani dhe e thani me peshqir.
Sheqeri
Pilingu në bazë të sheqerit është i shkëlqyeshëm për lëkurë të tharë, sepse ndihmon në mbajtjen e lagështisë. Është ëmë i butë se ai me kripë dhe është burim natyral i acidit glikolik, i cili e forcon lëkurën.
Pilingu nga sheqeri
Përbërësit: Sheqer, vaj ulliri, vaj eterik.
Përgatitja: I përzini tre filxhanë me sheqer, një filxhan e gjysmë me vaj ulliri dhe 10 pika vaj eterik sipas dëshirës. Me këtë piling me lëvizje qarkore e fërkoni fytyrën ose trupin dhe i bëni masazh të lehtë, e më pas e shpëlani. Përzierjen mund ta ruani në një enë të qelqtë dhe ta përdorni sipas nevojës.
Kokrrat e kafesë
Kokrrat e bluara rrallë të kafesë i ndihmojnë lëkurës së përzier. Ato nxisin qarkullimin e gjakut dhe e forcojnë lëkurën, me të cilën reduktohen shtresat e forta yndyrore ose celuliti.
Pilingu nga kafeja
Përbërësit: Kokrra të kafesë, sheqer, vaj ulliri.
Përgatitja: Një filxhan me kokrra të kafesë e bluani rrallë e më pas ia shtoni gjysmë filxhani me sheqer dhe një filxhan me vaj ulliri. Me përzierje e fërkoni lëkurën, e lini të qëndrojë 15 minuta e më pas e shpëlani.
Tërshëra
Ndihmon lëkurën problematike me akne. Ky piling mënjanon papastërtitë nga poret dhe ka ndikim qetësues gjë që e bën zgjedhje të shkëlqyeshme për lëkurën me inflamacion.
Pilingu nga tërshëra
Përbërësit: Tërshërë, mjaltë, ujë, lëng limoni.
Përgatitja: Në një enë e qitni një të tretën e filxhanit me qullë, një lugë mjaltë, një lugë vaj ulliri dhe një lugë lëng limoni. Të gjitha i përzini mirë, ndërsa rekomandohet që tërshëra paraprakisht të bluhet në mulli për kafe. Me përzierje e fërkoni lëkurën, e lini të veprojë 10 minuta dhe më pas e shpëlani me ujë të vakët.
Kripa e detit
Ajo e pastron thellësisht lëkurën dhe është zgjedhja më e mirë për pjesët e vrazhda të bërrylave dhe gjunjëve. Pas pastrimit lëkura bëhet më e butë dhe më e shtrënguar. Pilingu nga kripa mjafton të bëhet një herë në javë, në të kundërtën lëkura mund të bëhet e kuqe. Gjithashtu, nuk bën të aplikohet rreth syve, sepse mundet të shkaktojë inflamacion.
Pilingu nga kripa e detit
Përbërësit: Kripë deti, vaj ulliri dhe lëng limoni
Përgatitja: E përzini gjysmë filxhani me kripë deti, gjysmë filxhani me vaj ulliri dhe një lugë të vogël me lëng limoni. Me këtë përzierje e fërkoni trupin dhe e shpëlanin nën dush.