Shkencëtarët kanë zbuluar në tumore disa qeliza, që duket se janë përgjegjëse për rritjen dhe përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse.Me sa thuhet, tre studime të veçanta mbi minj kanë vërtetuar dyshimet që rritja e tumorit nxitet nga të ashtuquajturat qelizat staminale (burimore) të kancerit.
Studiuesit deklarojnë se kanë zgjidhur një nga të panjohurat më problematike në fushën e kërkimeve për kancerin dhe shtojnë se puna e tyre shënon një hap përpara.
Hulumtimet janë publikuar në revistat prestigjioze “Nature” dhe “Science”. Mjekët zakonisht reduktojnë përmasat e tumorit përmes terapive të ndryshme, por shpesh pacientët pësojnë një përsëritje dhe kështu tumori zgjerohet.
Studiuesit besojnë se kjo ndodh pasi terapia dështon në çrrënjosjen e një grupi të vogël qelizash, që nxisin përhapjen e tumorit dhe që ndryshe njihen si qelizat staminale kancerogjene.
Ekspertët besojnë gjithashtu se këto janë qelizat, që duhet të vihen në shënjestrën e mjekëve për të eliminuar tumorin përgjithmonë, pa mundësi kthimi.
Prova për ekzistencën e qelizave burimore të kancerit ka qenë e dobët, por tani tre studime të ndryshme, drejtuesit e të cilave kanë punuar në mënyrë të pavarur, kanë arritur të vërtetojnë të kundërtën.
Sipas tyre, prania e qelizave staminale kanceroze ndikon në zgjerimin e tumorit në tru, stomak dhe lëkurë.