Aktualisht Gmail nuk disponon një buton ose një opsion menuje që mund të përzgjedhë për të fshirë ose për të transferuar një grup mesazhesh ose bisedash që kanë një cilësi të përbashkët.
Pavarësisht kësaj ekziston një mënyrë indirekte për të realizuar këtë funksion të dobishëm për shumë përdorues.
Duhet të kemi parasysh se në Gmail posta nuk paraqitet në formën e mesazheve të veçanta, por në formën e bisedave prandaj kur fshijmë mesazhet e një personi do të fshihet komplet biseda dhe jo një mesazh i vetëm. Në qoftë se nuk e dëshironi këtë gjë atëherë mund të çaktivizoni opsionin Conversation. Për të realizuar këtë drejtohuni tek Settings -> Menuja General -> Conversation view off.
Para se të fshini mesazhet e një adrese të caktuar duhet që fillimisht të realizoni një kërkim duke shkruar te fusha e kërkimit from: adresa përkatëse, p.sh from: biseda@pcworld.al dhe menjëherë do të shfaqet lista e mesazheve që përmbushin kriterin përkatës. Më pas klikoni butonin Select që ndodhet në të majtë të butonit Refresh për të përzgjedhur mesazhet që dëshironi t’i fshini nga posta juaj. Në rast se doni t’i përzgjidhni të gjitha mesazhet që përputhen me kriterin e kërkimit atëherë klikoni Select all conversations that match this research. Në fund për të fshirë email-et e përzgjedhura klikoni ikonën e koshit. (PCWorld Albanian)