Nëse prej shumë kohësh po jetoni një lidhje serioze në çift, është më se normale që bisedat e bezdisshme të jenë bërë pjesë e jetës suaj. Për shembull, të shpeshta mund të kenë qenë grindjet për daljet në orët e vona, për punët e shtëpisë, për shpenzimet e shumta të parave etj. Por, gjithsesi, ju nuk duhet të shqetësoheni, sepse grindjet me partnerin apo partneren tuaj mund të ndikojnë pozitivisht në marrëdhënien që keni ndërtuar e do të ndërtoni.
Kështu, lajme të mira vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas një studimi të publikuar në revistën “Marriage and Family”, thuhet se “marrëdhëniet evoluojnë dhe në këtë evoluim çiftet preferojnë t’i largojnë dhe t’i injorojnë problemet e tyre, por kjo mund të jetë një gjë e keqe”.
Studimi
Sarah Holley, asistentja dhe pedagogia e psikologjisë në Universitetin e San Franciskos, ka intervistuar 127 çifte, të cilat ishin të martuar prej shumë vitesh. Holley, intervistat me ta, i ka kryer disa herë në 14 vitet e fundit. Gjatë kësaj kohe, ajo dhe kolegët e saj vëzhguan zhvillimet e konflikteve të çdo dite, si për punët e shtëpisë ashtu edhe për financat. Ajo çka studiuesit zbuluan në lidhje me shumë çifte, sipas një skeme të mirëkonsoliduar, ishte se, njëri prej partnerëve fajësonte tjetrin që nuk angazhohej në punët e shtëpisë dhe se partneri tjetër përpiqej të evitonte mjaft thjesht diskutimin.
Tentohet që problemet të evitohen
“Me kalimin e kohës, të dy bashkëshortët treguan një rritje të konsiderueshme në sjelljen e tyre në mosadresimin e problemeve, që do të thotë se, të dy bashkëshortët kishin tendencë të shmangnin diskutimet e konfliktit, duke u përpjekur të devijonin vëmendjen nga subjekti”, shpjegon Holley. Kjo është një tendencë, e cila nuk vërehet vetëm te çiftet e martuara, por vlen edhe për çiftet që janë heteroseksuale. “Nuk kemi gjetur ndryshime në sjellje gjatë diskutimeve që ata bënin. Për më tepër nuk besoj se rezultatet e këtij studimi janë vetëm për çiftet e martuara. E prisja që të gjitha çiftet e impenjuara prej shumë kohësh të kishin të ngjarë të tregonin një model të ngjashëm të ndryshimit”, vazhdon më tej Holley.
Mungesa e komunikimit
Të martuar ose jo, duke i evituar konfliktet, do të endeni gjithmonë në një mungesë komunikimi. Shumë çifte përfshihen në këtë model, sepse nuk gëzojnë mënyrat dhe kompetencat verbale për të cilat kanë nevojë, në mënyrë që të negociojnë me sukses zgjedhjen e konflikteve. Kështu, me kalimin e kohës, mes tyre, është rrënjosur modeli “evito problemet” për të ruajtur paqen. Në qoftë se ekzistojnë dallime dhe palët nuk janë të prirur për kompromis, shmangia e konflikteve mund të bëhet një mënyrë e “mirë” për të mbajtur ekuilibrin e marrëdhënieve.